Plotësohet Partizani, gati për rifillimin e kampionatit

Partizani plotëson radhët me lojtarët e munguar, tre prej të cilëve të impenjuar me kombëtaret, në pauzën ndërkombëtare. Tekniku Orges Shehi do të ketë pothuaj të plotë grupin e lojtarëve, me vetëm dy mungesa Bytyçin, të dëmtuarin afatgjatë që e ka mbyllur sezonin dhe Mehmetin, tërheqja muskulare e të cilit do ta kthejë në dispozicion vetëm për javën e ardhshme, në ndeshjen shumë të rëndësishme në shtëpi kundër Vllaznisë. Me grupin do të bashkohet edhe Bintsouka që vjen pas miqësores në të cilën Kongo barazoi 1-1 me Gabonin, edhe pse sulmuesi i Partizanit nuk luajti asnjë minutë. Mbërriti po sot edhe senegalezi Maguette, që ishte në shtëpi për procedurat e rinovimit të pasaportës. Në stërvitje pas impenjimeve me përfaqësuesen U21 në ndeshjet kundër Finlandës e Zvicrës për eliminatoret e Euro 2025 janë prezantuar edhe Preka e Buxhelaj, me Shehin tani që mund të zgjedhë qetësisht formacionin për transfertën me Laçin, në javën e 29 të Superiores, tepër e rëndësishme për Partizanin, që kërkon të rimarrë vendin e dytë në dëm të Vllazninë, me të cilën duhet t’i bëjë llogaritë në sfidën direkte të javës së ardhshme.

sfidanti.al