Mitaj ka bindur “Zonjën e vjetër”

Për Mario Mitajn ndeshja mes Shqipërisë dhe Kilit ka qenë një provë e vërtetë pasi prej ditësh është mësuar nga mediat italiane për praninë e disa vëzhguesve të Juventusit në “Tardini” të Parmës. Siç është raportuar edhe më parë për drejtorin sportiv të Juves, Kristiano Xhuntoli, mëngjërashi i Shqipërisë është një objektiv real në merkato. Madje pas takimit të mbrëmshëm emisarët e Juves, në një bashkëbisedim me gazetarët e “Tuttosport”, kanë pranuar se 20-vjeçari u ka lënë mbresa. Sipas gazetës, e cila është shumë pranë “botës” bardhezi, vëzhguesit në stadium janë mahnitur nga hapi i Mitajt. Zbritjet e tij në korsinë e majtë kanë bindur Juventusin për të tentuar finalizimin e transferimit të lojtarit në Piemonte. Sipas “Tuttosport” Mitaj përqafon mjaft mirë kriteret e reja të Juventusit në merkato. Siç dihet klubi ka hyrë në një fazë kursimi dhe vlera e kartonit dhe paga vjetore e lojtarit të Lokomotivës së Moskës janë mëse të përballueshme nga klubi italian.

sfidanti.al