Liverpool-City, fiton…Arsenali

Mbyllet në barazim 1-1 supersfida e javës së 28 në Anfield mes Liverpool dhe Manchester City. Një 90 minutësh që prodhoi spektakël të jashtëzakonshëm, teksa të dyja skuadrat tentuan deri në fund të fitonin ndeshjen. Ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh me anë të John Stones në minutën e 23. Mesfushori përfitoi nga një goditje këndi e ekzekutuar nga De Bruyne dhe befasoi portierin Kelleher. Në vijim, Liverpool tentoi në disa raste dhe iu afrua golit, të cilin në fakt e gjeti vetëm në fraksionin e dytë. Ake gaboi me një top të kthyer në drejtim të Ederson dhe Nunez përfitoi duke i marrë një penallti brazilianit. Nga pika e bardhë Mac Allister shënoi dhe barazoi ndeshjen. Ishin minuta të mira për Liverpool që pati dy raste të arta me Luis Diaz që gaboi në mënyrë të pafalshme. Në fund, City mund ta fitonte ndeshjen me Doku, por goditja e këtij të fundit u ndal nga shtylla. Përfundimisht, sfida u mbyll 1-1, me një barazim që i bën punë Arsenalit që mban kreun me 64 pikë, po aq sa edhe Liverpooli i vendit të dytë, City ndërkohë në të tretin me 63 pikë.

 

sfidanti.al