Java e 25-të e Superiores, luhet të dielën dhe të hënën

Pas takimeve të para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë që u zhvilluan në mesjavë, të dielën dhe të hënën do të luhet java e 25-të e kampionatit “Abissnet Superiore”. Dy takimet e para të javës do të zhvillohen në orën 13:30, Egnatia do të përballet me Teutën, ndërsa Kukësi me Erzenin. Kryesuesit e “Abissnet Superiore” do të kërkojnë të rikthehen te triumfi në kampionat dhe në stadiumin “Arena Egnatia” do të synojnë vetëm fitoren. Ndërsa Teuta vjen në këtë ndeshje pas triumfit me Kukësin në kampionat dhe synimi i vetëm mbetet vazhdimësia e rezultateve pozitive. Një takim mjaft interesant është edhe Kukësi-Erzeni, dy skuadrat që ndodhen në vendet e fundit të renditjes. Pas një ecurie negative, Erzeni u rikthye te fitorja në Kupën e Shqipërisë dhe tani do të kërkojë të bëjë të njëjtën gjë edhe në kampionat, ndërsa Kukësi nuk ndodhet në një moment të mirë dhe në shtëpi ka si objektiv vetëm fitoren. Në orën 17:00, Skënderbeu do të përballet me Partizanin. Korçarët kanë fituar në ndeshjen e parë në shtëpi këtë sezon me të kuqtë  dhe synojnë të triumfojnë sërish, ndërsa Partizani kërkon fitoren e radhës pas triumfit në derbin e kryeqytetit.

Të hënën në orën 17:00 do të zhvillohen dy takimet e fundit të kësaj jave. Tirana do të përballet me Laçin në stadiumin “Elbasan Arena. Bardheblutë tashmë në vendin e pestë do të kërkojnë të rikthehen te fitorja në kampionat, megjithatë nuk do të jetë e lehtë pasi Laçi po kalon një moment të mirë në “Abissnet Superiore” dhe do të tentojë surprizën ndaj Tiranës. Ndeshja tjetër është Dinamo City-Vllaznia. Ky takim do të luhet në stadiumin “Niko Dovana”  dhe do të vihen përballë dy skuadrat më në formë të momentit në kampionat.

 

sfidanti.al