Garë e fortë për shkarkimin e trajnerëve ! Hajde radha…

Vite më parë, kur futbolli ishte i besuari i madh, dhe stadiumet ishin si tempuj,  trajnerët ishin baballarë të lojës, zanatçinj  me peshë.  Në kohën e sotme, trajneri është i fundit i familjes, ai që gjithnjë e merr fajin me vete. Më keq akoma,  si ata që mbjellin flokët në kohët e sotme, edhe trajnerët kur shkarkohen, mbjellin “lumturinë” duke thënë se largohen me respektin më të madh për presidentin!

Të gjithë rrugët të çojnë në Bugjejovice – thuhet tek Shvejku. Kurse në futbollin tonë ..të gjitha rrugët të çojnë te shkarkimi i trajnerëve! Madje po bëhet një garë e fortë kush e kush  shkarkon më shumë trajnerë. Kukësi po bën “derbi” me Laçin,  ka larguar 3 dhe  mbërriti  i katërti , kurse Tirana duke emëruar Erbim Fagun në vend të Ahmataj, që kishte zënë vendin e Shehit, është tek trajneri i tretë.

Në një kampionat, ku trajnerët ndërrohen sikur të jenë “kollare”, Egnatia është përsëri në krye të klasifikimit. Trajneri i saj, i mirëbesuari  Tetova,edhe në ditën më të keqe të ekipit, kur dezertuan me Tiranën dhe kullufitën plot  5 gola, s’ ia mbathi në “arrati” siç bëjnë kolegët, por deklaroi  se  futbollistët luajtën me një “skemë “ që nuk ishte  tij…

Sfidanti.al