Në zemër të mbrojtjes së Atalantës, Berat Gjimshiti plotësoi kuotën e 200 ndeshjeve në Serinë A. Qëndra e bergamaskëve dhe kapiteni i Shqipërisë ka folur në mediat italiane për rolin e tij kyç në Kombëtare, rritjen graduale që ka pësuar dhe ambiciet që ka për të ardhmen. “Të ndihesh rehat në rolin që mbulon është thelbësore. Të luash në qëndrën e mbrojtjes së Atalantës, është një përgjegjësi që më ka lejuar që të piqem si lojtar dhe si person. Historia ime në Atalanta ka qenë një rrugëtim i rritjes së vazhdueshme dhe të ndihesh pjesë përbërëse e projektit bergamask, është një nder që më shtyn të jap gjithmonë më të mirën time”, thotë fillimisht Gjimshiti që më pas flet edhe për formën fantastike që po kalon ekipi i Gasperinit kohët e fundit:
“Fitorja nuk është thjesht një rezultat, por një katalizator për rritjen e besimit. Po kalojmë një moment të mirë dhe do të japim gjithçka që të arrijmë sa më lart dhe për ta bërë këtë duhet të mposhtim skuadra si Lacio, megjithatë nuk mendojmë për renditjen. Gjithmonë kemi menduar për ndeshjen e radhës”, shprehet ai. Kur vjen puna tek e ardhmja, kapiteni kuqezi nuk i fsheh aspiratat e tij: “Ëndrra e çdo futbollisti është të fitojë trofe dhe unë kam ambicie ta realizoj këtë ëndërr si në nivel klubesh, ashtu edhe me Kombëtaren time”, thotë mbrojtësi që pyetet me buzëqeshje për mungesën e golave të shënuara nga ai në kampionat: “Është mirë për mua të mos shënoj në Serinë A, të vazhdoj të shënoj në Europë dhe t’ua lë të tjerëve golat në kampionat”, tha me buzëqeshje Gjimshiti. Në funksion të një ndeshjeje ndërkombëtare me Shqipërinë dhe një fund sezoni me Atalantën plot pritshmëri, Gjimshiti është i vetëdijshëm për rëndësinë e tij brenda dhe jashtë fushës: “Ndiej përgjegjësinë ndaj shokëve dhe të gjithë kombit që na ndjek me ngrohtësi. Të jesh kapiten i një Kombëtareje më ka dhënë besim edhe nga perspektiva e Atalantës”, tha Gjimshiti për “L’Eco di Bergamo”.
sfidanti.al