Humbja në derbin e Italisë ndaj Interit ka bërë që tekniku Massimiliano Allegri të marrë kritika të shumta për mënyrën se si po i menaxhon minutat e Federico Chiesas. Ai u aktivizua nga pankina në 25 minutat e fundit në ndeshjen ndaj Interit në “San Siro” dhe në shtatë ndeshjet e fundit Chiesa ka luajtur vetëm tre sfida si zëvendësues. Pikëpyetje janë ngritur mbi atë nëse sulmuesi italian i cili tashmë është 26-vjeçar do të arrijë të rikuperohet plotësisht nga dëmtimi i rëndë që pësoi në gju në janar të vitit 2022. Ai ka luajtur vetëm 1,185 minuta në Serie A në 18 ndeshje këtë sezon, megjithatë ka kontribuar me gjashtë gola dhe dy asiste. Kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2025, por në rast se nuk tregon shenja përmirësimi fizikisht, e ardhmja e tij do të jetë larg Juventusit, duke marrë parasysh faktin që tashmë më shumë hapësirë po i jepet talentit Kenan Yildiz.
sfidanti.al