Pranga dhunuesit të arbitrit në Luz

Në takimin e zhvilluar të dielën, të vlefshëm për javën e 18-të të Kategorisë së Parë, Luzi 2008 humbi 1-2 me Lushnjën, dhe, pas ndeshjes, punëtori i fushës së stadiumit në Luz ka goditur gjyqtarin kryesor të ndeshjes. Policia e Kavajës njofton se personi me iniciale A.L. është arrestuar në flagrancë. “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. L., 44 vjeç (punëtor i fushës), për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, gjyqtarit, ndërmjetësit sportiv”, – thuhet në njoftimin e Policisë, që më pas sqaron se ky shtetas, në përfundim të  ndeshjes Luzi-2008-Lushnja, në momentin që lojtarët dhe gjyqtarët po hynin në dhomat e zhveshjes, ka goditur gjyqtarin kryesor të ndeshjes. 44-vjeçari është neutralizuar menjëherë  nga shërbimet e Policisë dhe është vënë në pranga. “Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, – përfundon njoftimi i Policisë.

sfidanti.al