Xavi konfirmohet te Barça

Humbja e rëndë në finale të Superkupës së Spanjës përballë Real Madridit tronditi jo pak pozicionin e Xavi Hernandez në stolin e Barcelonës. Por në prag të Kupës së Mbretit është vetë tekniku katalanas që qetëson ambientin, duke deklaruar se ende ka besimin e presidentit Laporta, pasi ekipi që drejton është në luftë për tre trofetë sezonalë, pavarësisht vështirësive. “Kam pasur kontakt me presidentin kur po ktheheshim nga Arabia Saudite. Ai është personi më optimist, më inkurajon edhe mua. Na transmeton besim, duke e ditur se kanë mbetur tre titujt më të rëndësishëm në lojë. Ditën që lojtarët nuk janë me mua, do të largohem vetë. Ne kemi besuar gjithmonë te njëri-tjetri. I kemi bërë gjërat shumë keq në finalen e Superkupës, nevojitet kthesë e shpejtë” , deklaroi Xavi. Për momentin, këto zëra janë thjesht spekulime edhe për faktin se Laporta konfirmoi Xavi-n në stol. Megjithatë, nëse Barcelona bën ndonjë hap fals, nuk do të ishte çudi që gjërat të ndryshonin menjëherë.

sfidanti.al