Në një kohë që futbolli në vend është rindezur me rikthimin e skuadrave të Superiores në fushë dhe e Para apo kategoritë e tjera po përgatiten për pjesën e dytë, Kombëtarja vazhdon të jehojë në mediat ndërkombëtare dhe njeriu që vazhdon t’i bjerë “fyellit” është njeriu që ndoshta po merr më shumë merita edhe se vetë djemtë në fushën e lojës. Armand Duka ka folur së fundmi në një media italiane ku ka vënë theksin te “puna e palodhur”, një frazë shabllon por e nevojshme për të rivënë në dukje punën e bërë nga FSHF. Sipas tij, institucioni që drejton i ka ndryshuar fytyrën futbollit në vend me infrastrukturën dhe edukimin e profesonistëve por çuditërisht asnjë fjalë për borxhet që po mbysin klubet, shkallët e boshatisura, nivelin mediokër të Superiores apo “tallavanë” në kategoritë inferiore. Vetëm arritje, asnjë hap pas, të gjithë të lumtur e të gëzuar me festivalin e futbollit në vendin tonë por për fat të keq, kjo mbetet vetëm në mendjen e atyre që e shikojnë lojën vetëm nga xhamat e shtëpisë së futbollit ku Kombëtarja është strehuar jo vetëm fizikisht por edhe në kuptimin e saj më të gjerë. Skuadra kuqezi nuk e ka luksin të krenohet me arritjet në fushë sepse sulmuesi kryesor, sipas Dukës, është rritur brenda në FSHF, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është stafi që punon ditë e natë për të na dhuruar këtë skuadër dhe Sylvinhon që ne e veshëm me kostumin e madhështisë.
Nga Pirro Bardhyli