Trajneri durrsak, Stavri Nica u largua nga Kukësi këtë fundjavë pas humbjes në Shkodër ku skuadra e tij tregoi nivel dhe lojë në rritje pavarësisht disfatës që në fund të llogarive i “preu kokën” ish drejtuesit të Laçit. Është pikërisht ndeshja e parë e vitit 2024 që shkaktoi tërmetin e dytë sezonal në stolin e skuadrës verilindore, se cilës më shumë se trajneri, ndoshta ia ka fajin mungesa e stabilitetit në klub. Në këtë mënyrë, Nica është viktimë e “vesit” të klubeve shqiptare për ta deleguar fajin përherë te njeriu kryesor i stolit.
Edhe pse në Europën e civilizuar të futbollit është trajneri ai që paguan përherë, frekuenca e largimeve, shkarkimeve apo marrëveshjeve në heshtje për ndryshimin e trajnerëve është shumë e lartë në Superioren tonë dhe në fund ata që e pësojnë janë njerëzit të cilët janë ndoshta emrat me më pak faj në situatat kritike dhe humbjet e rënda të skuadrave të tyre. Në këtë optikë, Nica është simboli i “kurbanit” që bëjnë shpesh herë klubet e paafta për të ruajtur bërthamën e ndërtuar një strategji afatgjatë.
sfidanti.al