Kaos tek Kameruni, është sërish Eto’o kundër Onanës

Viti 2023 i André Onanës ka qenë një udhëtim me slitë: së pari lavdia e Interit me keqardhjen e natës në Stamboll dhe më pas vështirësitë ekstreme në fuçinë e barutit të United. Në mes të një transferimi nga Serie A në Premier League për mbi 50 milionë dhe me një ngarkesë pritshmërishë tashmë të shuar. Gjysma e parë e vitit ishte më e mira e karrierës së tij, me një edicion të Ligës së Kampionëve të luajtur si protagonist për zikaltërit, pjesa e dytë ndoshta më e keqja ndonjëherë, me disa gabime që e bënë atë kok turku të një ekipi të Mançesterit që ishte në rrëmujë nga çdo këndvështrim. Dhe nuk mjaftuan telashet angleze, për ish-portierin e zikaltërve shfaqen probleme të reja në shtëpi, të cilat do të komplikojnë pjesëmarrjen në Kupën e Kombeve të Afrikës së ardhshme.

Në fakt, tensionet vijojnë me presidentin e federatës dhe një ish tjetër të madh te Interi, Samuel Eto’o. Është një konflikt që ka rrënjë të lashta dhe është gati të shpërthejë sërish: e vetmja paqe e dukshme mes të dyve zgjati shumë pak. Tani ekziston rreziku i një tjetër përçarjeje të madhe mes kombëtares së Kamerunit dhe një prej Luanëve të Paepur më përfaqësues, pikërisht në prag të ngjarjes më të rëndësishme për kontinentin afrikan, që do të zhvillohet nga 13 janari deri më 11 shkurt. Në fakt, në dhomat e zhveshjes mund të ndihen ende pasojat e përjashtimit të Onanës nga grumbullimi i ekipit kombëtar në mes të Kupës së Botës në Katar, më shumë se një vit më pare. Copat nuk janë riparuar kurrë, pavarësisht kthimit të André për tri ndeshje të luajtura së fundmi nga Kameruni. E para, më e rëndësishmja, kundër Burundit në shtator: nga ajo fitore erdhi në fakt kualifikimi i kombëtares së drejtuar nga Rigobert Song në Can. Dhe më pas dy ndeshje të tjera, midis tetorit dhe nëntorit, kundër Senegalit (miqësore) dhe Mauritius (kualifikueset e Kupës së Botës). Në të tre rastet André ishte titullar, si për të nënshkruar një paqe të supozuar të bërë, por “lufta” vetëm u shty.

Realisht, mungesa e pajtimit mes dy ish-miqve, figura shumë të rënda në kombëtaren e Kamerunit, rëndon ende shumë brenda dhomave të zhveshjes. Marrëdhënia e tyre është shteruar plotësisht dhe kjo ndikon ndjeshëm në klimën në skuadër, në prag të një ngjarje kaq të rëndësishme. Askujt nuk i ka shpëtuar vëmendjes se në ndeshjet e fundit të luajtura me kombëtaren Eto’o dhe Onana thjesht kanë injoruar njëri-tjetrin. Zero fjalë, asnjë krahasim. Nga ana e tij, trajneri Song, i cili ka qenë gjithmonë nën urdhrat e presidentit, padyshim vazhdon të ndjekë dispozitat e Samuelit. Dhe e gjithë kjo në prag të një momenti të rëndësishëm në përgatitjen për Kupën e Kombeve të Afrikës: pasnesër është afati i fundit për thirrjet e trajnerit, me një pikëpyetje.

Nisur nga tensioni që është rikthyer në nivelet e Katarit, Onana është në dyshim nëse do ta pranojë apo jo thirrjen që do të vijë gjithsesi: nga njëra anë është dëshira për të luajtur me kombëtaren dhe për të mbrojtur ngjyrat që i pëlqen, nga ana tjetër dëshira për të mos përsëritur vuajtjet pas Botërorit në Katar. Në mes, padyshim, është edhe pozicioni i United, i cili e lë të lirë numrin 24 sipas kontratës: gjithsesi është e vetëkuptueshme që në Mançester do të donin që André të qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar në një muaj vendimtar. Situata e skuadrës e cila ka rënë në vendin e tetë në Premier League dhe tashmë jashtë kupave evropiane nuk është aspak e mirë. Që prej verës, portieri kamerunas është zhytur së bashku me ekipin e tij të ri dhe, në planet e trajnerit të lëkundur Ten Hag, njeriu që e donte me çdo kusht dhe që vazhdon t’i besojë atij pavarësisht gabimeve, e gjithë kompania e Djajve të Kuq duhet të qëndrojë e bashkuar për të dalë përfundimisht nga një moment kaq i vështirë. Aq më tepër që Amrabat, një tjetër titullar i trajnerit holandez, do t’i bashkohet Marokut të tij për misionin në Bregun e Fildishtë. Me pak fjalë, nuk ka paqe për askënd. As për Kamerunin, as për Onanën.

sfidanti.al