Në një kohë që UEFA ka nisur një fushatë mediatike shumë agresive kundër Superligës që dje mori aprovimin për të vazhduar me projektin që synon ndarjen përfundimtare të futbollit nga monopoli i UEFA-s, në selinë e lojës tonë paralelisht kanë nisur të ndërtojnë skenarin për të bindur shqiptarët se Superliga, jo ajo Superiore por e Europës, është e keqja e futbollit. Në FSHF kanë monopolin e së vërtetës sigurisht sepse perandoria e ngritur nga UEFA siguron që institucionet simotra si ky i yni apo mbarë “FSHF”-të e botës të bëjnë ligjin në futbollin e vendeve të tyre pa u hyrë asgjë në këmbë.
“Meritojeni në fushë” shkruan FSHF në mesazhin që jep. Ironike nëse mendon se është ky institucion që me një të rënë të lapsit vendosi për të ndryshuar formulat e kampionateve pa pyetur asnjeri dhe pa shqetësuar për ta mbrojtur futbollin toni. “E ashtuquajtura “Super League” dëmton gjithë ekosistemin e futbollit europian!”, shton FSHF dhe këtu ka të drejtë sepse e kemi një ekosistem të futbllit europian dhe atij shqiptar por të imponuar nga monopoli i ligjit “topin e kam unë, penalltinë e gjuaj vetë”.
Nga Pirro Bardhyli