Tirana pezullon sërish Ardit Hilën

Ardit Hila nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Tiranës për ndeshjen derbi pasi është dënuar sërish nga klubi bardheblu. Ky është vendimi i fundit që brenda një muaji e ka dënuar dy herë lojtarin elbasanas. Ngjarjet kanë precipituar, pasi mësohet se në sfidën me Kukësin ka pasur debate mes lojtarit dhe drejtuesve për përplasjen që ai bëri me tifozët e Kukësit. Gjërat janë agravuar edhe më shumë mes lojtarit dhe trajnerit si në stol dhe në dhomat e zhveshjeve.

Para ndeshjes me Erzenin është marrë një vendim që lojtari do të mënjanohet nga grupi pikërisht para sfidës me Partizanin në derbi. Futbollisti është jashtë planeve të Tiranës dhe në janar mund të largohet nga skuadra për një skuadër tjetër në Superiore. Dënimi i parë – Për koincidencë Tirana u mund në derbin e parë, por problemet mbeten. Asokohe u zhvillua një analizë ku është parë me kujdes çdo veprim i skuadrës në derbi. Drejtuesit u ndaluan edhe tek Ardit Hila gjatë zëvendësimit dhe hyrja e tij në dhomat e zhveshjeve pa kaluar nga pankina. Lojtari është kritikuar për atë që ka ndodhur dhe nga drejtuesit është marrë një masë e përkohshme: pezullimi për ndeshjen e ardhshme. Hila nuk luajti në sfidën me Egnatian dhe më pas u fal. Lojtari u zëvendësua nga trajneri Julian Ahmataj në minutën e 67-të së bashku me Latifin. Mesfushori nuk takoi stolin e rezervave dhe u fut menjëherë në dhomat e zhveshjeve.

sfidanti.al