Bylis vrapon drejt Superiores

Kategoria e Parë është rikthyer në fushë këtë mesjavë për të zhvilluar ndeshjet e javës së 12, teksa Bylisi vrapon drejt rikthimit në Superiore me një ritëm ndryshe nga rivalët. Mallakastriotët ia dolën të triumfojnë me rezultatin 1-2 në trasnfertën matjane ndaj Burrelit dhe të mbajnë kreun me 29 pikë tashmë, 5 më shumë se ndjekësit më të afërt, por edhe me një ndeshje më pak të luajtur. Vendasit kaluan të parët në avantazh që në minutën e katërt me anë të Dedgjonajt, por ballshiotët u kundërpërgjigjën shpejt, duke përmbysur me golat e Vernazës dhe Eminit, që vulosën edhe suksesin mallakastriot në Burrel. Bëri detyrën Apolonia, që triumfoi me rezultatin e thellë 4-1 ndaj Lushnjës në derbin e Myzeqesë dhe u ngjit përkohësisht në vendin e dytë me 24 pikë, po aq sa ka edhe Flamurtari, që në sfidën përballë kavajasve të Luzit fitoi me shifrat 2-1. Në sfidën tjetër të zhvilluar këtë të mërkurë, Korabi mposhti me rezultatin e pastër 4-0 Tomorin e Beratit dhe u ngjit në kuotën e 15 pikëve, duke iu larguar disi zonës së ftohtë të renditjes.

sfidanti.al