Spanja, që kishte siguruar kualifikimin në Euro 2024 si vend i parë në grupin A, fitoi 3-1 ndaj Gjeorgjisë, por humbi shërbimet e Gavit. Në suksesin me “tris” në stadiumin “Estadio Jose Zorrilla” të Valladolidit, mesfushori i Barcelonës pësoi një dëmtim të rëndë. 19-vjeçari dëmtoi gjurin e djathtë në minutën e 21’ pas përplasjes me Luka Lochoshvilin, mbrojtësin e Cremoneses në Serie B. Gavi vazhdoi lojën për momentin, por pesë minuta më pas u detyrua të largohej nga fusha. Si pasojë e dhimbjeve që ndjeu gjatë një momenti që po përpiqej të kontrollonte topin. Talenti katalanas u largua duke lotuar prej dhimbjeve, ndërkohë që testet mjekësore kanë konfirmuar këputjen e ligamentit të kryqëzuar të gjurit. Një dëmtim i rëndë ky për një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Barcelonës dhe Spanjës, i cili e ka mbyllur sezonin. Duke humbur pjesëmarrjen në Gjermani 2024. Një gjë e tillë ka zemëruar drejtuesit e Barcelonës, të cilët kanë vënë nën shënjestër trajnerin De la Fuente të kombëtares për aktivizimin e panevojshëm në një takim që nuk kishte rëndësi. FIFA do t’u japë katalanasve si kompensim rreth 3-4 mln euro, por asgjë nuk ngushëllon trajnerin Xavi, i cili duhet të bëjë pa shërbimet e Gavit deri në fundin e sezonit.
sfidanti.al