Mjaftoi një stuhi që me një të rënë të lapsit, futbolli të shtyjë pjesën më të madhe të takimeve të kësaj fundjave. Ndryshe nga politika që në të tilla raste nxiton ta krahasojë Tiranën me perëndimin kur regjistrohen raste të tilla ekstreme, FSHF preferoi ta mbante topin në këmbët e saj duke mos dhënë asist për askënd edhe pse në një situatë edhe më kaotike në Itali u luajt për të respektuar fjalën e dhënë e kontratën e pashkruar me tifozët.
Futbolli mbetet në shtëpi derisa moti të qetësohet e natyra ta ketë shfryrë zemërimin. Ujërat e larguan pas disa orësh nga rrugët e Tiranës, por frika e FSHF nga moti i keq u bë edhe më paranojake në kokën e drejtuesve që si pa të keq vendosën të zhvendosin oraret dhe ditët e ndeshjeve pa pyetur nëse njerëzit, të cilët janë shqetësimi i fundit në zyrat e federatës.
Tifozët që ndoshta i kanë bërë planet ndryshe duhet të anulojnë axhendën personale pasi dikush në FSHF i trembet kthimit të fushave në moçale edhe pse investimet në letër e media janë bërë që të gjitha për të modernizuar stadiumet dhe për të evituar skena të shëmtuara si ato të shumë viteve më parë. Një pemë e thyer apo një rrugë e përmbytur është një arsye e fortë për FSHF-në që të prishë lojën për ta shtyrë (me kismet) kur qielli të hapet e Zoti të na lejojë të luajmë në dritën e diellit.
Nga Pirro Bardhyli