Vllaznia zëvendëson Memellin me Osmanin

Qatip Osmani do të jetë trajneri i Vllaznisë. Ai do të prezantohet nesër para ekipit dhe do të debutojë në stolin kuqeblu të mërkurën në ndeshjen ndaj Erzenit. Në një deklaratë ekskluzive për Klan Maqedoni, Osmani shtoi se do të fillojë punë që nga java e ardhshme.

“Përfundimisht kemi rënë dakord me drejtuesit e klubit të futbollit Vllaznia e Shkodrës që të jem trajner përgjegjës. Me punë me ekipin e Vllaznisë do të nis që nga dita e hënë. Me drejtuesit e klubit kemi firmosur kontratë një vjeçare”, deklaroi Osmani. Qatip Osmani deri tani në tre raste ka drejtuar ekipin e Shkëndijës me të cilën skuadër ka fituar tre tituj kampion, një Kupë dhe një Super Kupë, ndërsa në garat ndërkombëtare ka luajtur në play-off, për kualifikim në fazën e grupeve në Evropa Liga. Qatip Osmani pesë vite ishte trajner i parë i KF Renova, gjashtë muaj ishte trajner i FC Shkupi dhe KF Drita të Bogovinës.

sfidanti.al