Nga qindra milionë të Sitit e Çelsit, tek “kacidhet” e Aldershotit!

“Jetojmë që të dy në një qytet, por shihemi rrallë”. Çelsi e Mançester Siti në një krah dhe Aldershoti në një krah tjetër, jetojnë në të njëjtin vend, në Angli, por shihen më rrallë sesa këta që përmend vargu i këngës. Madje, as nuk shihen fare. Dy klubet e Premier Ligës kanë shpenzuar më shumë se 50 milionë stërlina vetëm për agjentët e futbollistëve gjatë transferimeve të verës së kaluar, dhe gjithë Premier Liga arriti në shifrën 220 milionë stërlina.

Aldershot, ndërkaq, është klub i kategorisë së pestë, në Angli quhet “non league”, pra nuk bën pjesë në sistemin e katër kategorive të para. Drejtuesit e shoqërisë modeste shpenzuan verën e kaluar vetëm 56 stërlina (diçka më shumë se 60 euro) për agjentët (besohet, për agjentin) e lojtarëve, ndërsa Hartlepul në kategorinë e katërt zgjodhi të mos shpenzonte asnjë lek.

Një vend, Anglia, dy botë më të ndryshme sa më nuk bëhet. Pak a shumë, si një lagje ku ai fatlum që merr lokalin në kryqëzimin kryesor merr edhe gjithë klientelën, ndërsa ai fatkeq që merr një lokal diku mes pallateve duhet të kënaqet me bukën e gojës. Besoni se njerëzimi ende duhet të bazohet tek fati për të organizuar jetën e tij?

Sfidanti.alaldershot