Euroliga përcakton itinerarin drejt “Katërshes Finale”

Reali i Madridit e mbajti vendin e parë dhe CSKA-ja e Moskës nuk e pati problem që doli e dyta, ndërsa Euroliga përfundoi fazën e saj të rregullt. Në 18 prill do të nisin çerekfinalet që do të përcaktojnë 4 skuadrat që do të jenë në Katërshen Finale (Final Four). Në javën e fundit, jashtë 8 ekipeve të kualifikuara mbeti Crvena Zvezda, pasi kampionia e Serbisë humbi duelin direkt në Stamboll me Darushafakanë. Turqit fituan bindshëm 78-62 dhe zunë vendin e tetë.

Çiftet çerekfinale janë Real Madrid-Darushafaka, Panathinaikos-Fenerbahçe, CSKA e Moskës-Baskonia Vitoria dhe Olimpiakos-Anadolu Efes, ndërsa do të kualifikohen ato skuadra që do të fitojnë të parat 3 ndeshje. Turqia është i vetmi vend me tri skuadra, veçse që të tria janë në pozicion të pafavorshëm, me ndeshjen e pestë përcaktuese (nëse do të duhet) jashtë fushe. Greqia është në pozita shumë të forta, pasi Olimpiakos dhe Panathinaikos kanë faktorin fushë, ashtu si Reali dhe CSKA-ja.

CSKA është kampione e Europës në fuqi, dhe Fenerbahçe nënkampione, por turqit e trajnerit Zheljko Obradoviç nuk patën shkëlqimin e vjetshëm. Rusët, ndërkaq, ishin ekipi që shënuan më shumë pikë, 2605 në 30 ndeshje, me mesatare më shumë se 86 pikë për çdo takim. Katërshja finale do të luhet nga 19 deri në 21 maj në Stamboll, dhe skuadrat turke do të bëjnë çmos që të jenë aty.

Sfidanti.al