Xhejmi Vardi i Lester Sitit ka rilindur! Cili është shkaku…

Xhejmi Vardi, një nga futbollistët më të mirë të Premier Ligës angleze gjatë vitit të kaluar, në pjesën e këtij sezoni, kur Lester Siti ishte nën drejtimin e Klaurdio Ranierit, kishte shënuar gjithsej pesë gola. Por, pas largimit ose, më saktë, shkarkimit të trajnerit italian, ky sulmues anglez i është kthyer formës së tij të njohur si golashënues dhe, pas golit të shënuar në ndeshjen e fundit ndaj Sanderlendit, ai ka shënuar, tanimë, pesë gola të rinj në pesë ndeshjet e fundit. Në gjashtë ndeshjet e fundit ekipi i “dhelprave” ka arritur po aq fitore, duke përfshirë edhe atë në ndeshjen kundër Seviljes në kuadrin e Ligës së Kampioneve.

Një seri të tillë fitoresh Lesteri nuk e ka arritur që nga viti 2008, kur, në divizionin e tretë anglez, shënoi gjashtë fitore të njëpasnjëshme. Vardi ka shënuar dy gola në ndeshjen që Lesteri e fitoi ndaj Liverpulit (3-1), i dha një asist për gol Fuksit në ndeshjen kundër Hall Sitit (3-1), shënoi një gol dhe i dha një asist për gol Marezit në fitoren ndaj Uest Hemit (3-2), vulosi triumfin mbi Stok Sitin (2-0) dhe shënoi një gol edhe në ndeshjen e fundit ndaj Sanderlendit (2-0). Nën drejtimin e Kreg Shekspirit, Lesteri nuk ka humbur asnjë ndeshje, duke siguruar, praktikisht, mbijetesën në kampionatin më të fortë të Evropës.

sfidanti.al