Vllaznia po, Vllaznia jo, asnjë javë nuk i ngjan tjetrës për skuadrën shkodrane, shumë e kontestuar gjatë këtij sezoni nga tifozët e saj të cilët përgjigjen e kanë dhënë në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, të trishtuar dhe të boshatisur javë pas jave. Pak ditë pas një tjetër humbjeje të hidhur në Kukës, atë ndaj Tiranës në klasike, Vllaznia ra edhe ndaj skuadrës që zotëron stadiumin, Kukësit të Stavri Nicës. Një disfatë që e lë jo pak të zhgënjyer edhe Migen Memellin, trajnerin që po punon me qetësi e durim por koha duket se po i mbaron dhe momentalisht është shenjëstra më e rrezikuar e tabelës së trajnerëve të Superiores. Por çfarë po ndodh me Vllazninë këtë sezon? Ironikisht dhe në mënyrë të pakuptueshme, peshorja anon nga ana bosh në një klub që pas erës “Brdaric” duhej ta kishte rritur natyrshëm shënjestrën.
Dy kupat e fituara nuk paskan shërbyer për asgjë ndërsa sot në Shkodër skuadrën e tyre për të cilën kanë aq shumë dashuri, por e vrasin me indiferencë e ky është një sinjal i vërtetë alarmi. Kur njerëzit kuqeblu nuk duan të dëgjojnë më për Vllazninë e fushë së blertë, diçka serioze po ndodh sepse një gjë e tillë nuk është regjistruar as në kohët e vështira të menaxhimit të klubit nga bashkia ku në fund të ditës kishte një reagim a zemërim. Sot, askush nuk dëshiron madje të flasë për temën “Vllazni” sepse kjo nuk është më skuadra e lidhur me qytetin dhe ndjenjat e tij për futbollin e vërtetë.
Nga Pirro Bardhyli