Partizani fitoi një ndeshje jo pa vuajtje ndaj Erzenit që edhe pse me 10 lojtarë arriti të barazonte përkohësisht e madje ta vendoste në pozita të vështira ekipin kampion. Por përtej humbjes së shijakasve që është deri diku e pritshme për shkak të emrave që kanë dy skuadrat në dispozicion, ajo që bën kontrast në këtë histori anormale është përdorimi i fushës së Partizanit për shijakasit si ambjent shtëpie. Erzeni në këtë duel ishte skuadra pritëse në stadiumin e “Demave” e për një moment ndoshta u ndie edhe kampion e me shumë mundësi ky fakt e ka bërë të reagojë në atë mënyrë edhe kur u gjend në fushë me një lojtar më pak.
Reagim i vërtetë prej kampioni nga skuadra shijakase e cila ndoshta luajti ndeshjen e vetme të historisë me stofin e skuadrës së parë të vendit. Ansambël ngjyrash në stadiumin e pozicionuar në veri-lindje të kryeqytetit ku guerrilasat ishin miq në shtëpinë e tyre dhe shijakasit bujtës në fushën e miqve. Histori e paqartë dhe e ngatërruar, pothuajse e ngjashme me atë të numrit të saktë të fushave dhe investimeve që FSHF ka bërë për futbollin duke anashkaluar shijakun e Superiores që prej dy sezoneve po endet si “çifuti në shkretëtirë”.
Pirro Bardhyli