Po ne ia kalojmë edhe Italisë…për bastet ?

Në një kohë që në Itali “stuhija” e basteve është në kulmin e aktivitetit të saj e madje rrezikon të përfshijë edhe klube legjendare si Milan apo Juventus e Roma, në Shqipëri po luajmë një kampionat sa për të kaluar radhën. 36 javë që duhet të konsumohen njëra pas tjetrës me shpejtësi marramendëse aq sa një skuadër është e detyruar të luajë edhe 3 ndeshje në 7 ditë e kjo është një çmenduri dhe nëse dikush mendon se kampionati nuk është i trukuar nga kjo marrëzi, atëherë këtu kemi një problem. Dopingu në muskuj dhe trukimi në kokë është i dukshëm te skuadrat që po kalojnë çdo limit duke thyer edhe ligjet e shkencës e duke i detyruar lojtarët të bëjnë punë ekstra në një sezon të ngarkuar me ndeshje që kapin njëra-tjetrën brenda 48 orëve.

Ku qëndron koha për të reflektuar dhe korrigjuar gjërat që u bënë keq në ndeshjen paraardhëse, po diferenca e ditëve mes përballjeve për të rigjeneruar muskujt e lojtarëve? Me çfarë dëshire dhe egoje mund të zbresin ata në fushë kur flenë në Rrogozhinë dhe zgjohen në Kukës? Edhe në rast se hijet e dyshimit të trukimeve në ndeshje të veçanta gjatë këtij sezoni, mund të përgënjeshtrohen të gjitha, Kategoria Superiore është sërish e përfshirë , Futbolli në Shqipëri po vendos bast me shkencën duke testuar limitet fizike dhe psikologjike të lojtarëve profesionistë.

K.Shabani