Quhet jo më kot Superclásico, është i tillë, super në çdo aspekt, superior, mbi gjithcka, ndeshja e ndeshjeve, rivaliteti më i madh sportiv i planetit, derbi Boca Juniors-River. Po shkruajmë për ajkën e rivalitetit në kufijtë e sportit, politikës dhe rrymëve të ndryshme në një qytet që frymon me futbollin. Boca e njerëzve, e popullit me shtrirje më të gjerë se thjesht Buenos Aires kundër milionerëve të River Plate, skuadra e shtresave të mesme dhe të pasura që numëron më shumë trofe por jo më shumë mbështetës. Janë dy klubet më të mëdhenj dhe të suksesshëm të Argjentinës ku kontrollojnë më shumë se 70 % të tregut futbollistik.
Revista prestigjoze “Observer” e ka renditur këtë derbi në një nga 10 evenimentet sportive që njeriu duhet të ndjekë minimalisht një herë në jetë përpra se të vdesë. 118 vite rivalitet mes skuadrës së klasës punëtore të themeluar nga emigrantët italianë dhe bardhekuqve të cilët vuajtën tragjedinë e vitit 1968 ku në “El Monumental” humbën jetën 71 tifozë dhe më shumë se 150 të tjerë u plagosën. Që prej viteve 2000 përballjet dhe përplasjet mes dy skuadrave legjendare kanë arritur në një nivel tjetër ndërsa pikën më të ulët River e preku në 2011 me rrëzimin një kategori më poshtë për herë të parë në histori por pas rikthimit 1 vit më pas, “milionerët” superdominuan rivalët në çdo ndeshje ndërkombëtare, ndërsa përballja kulmoi me superduelin e Kupës Liberadores, homologia e Champions League ku në vitin 2018 në “Santiago Bernabeu” bardhekuqtë triumfuan në finalen më të madhe të historisë së futbollit.
sfidanti.al