Argjentina fiton dhe shkëputet nga ndjekësit në renditjen e Amerikës së Jugut në kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026. Në raundin e katërt, kombëtarja e drejtuar nga Lionel Skaloni, Kampione e Botës në fuqi, ka fituar 2-0 ndaj Perusë falë dhe paraqitjes monstruoze të Leo Mesit. Në Lima, “Pleshti” ka shënuar dy gola, ndërsa i anulluar dhe një i tretë duke e çuar kombëtaren e tij në fitoren e katërt radhazi. 12 pikë për Argjentinën, që tashmë është plus 5 nga Brazili, i cili është mundur nga Uruguaji.
I intervistuar në përfundim të ndeshjes, Mesi ka shpjeguar se çfarë ka ndryshuar në kombëtare, apo tek ai vetë, pas fitores së Kupës së Amerikës më 2021-in, që në fakt vinte pas një thatësire trofesh për Argjentinën. Bardhekaltrit kishin që nga 1993-i që nuk fitonin trofe dhe Kupa e Amerikës u shoqërua më pas dhe me titullin Kampion Bote më 2022 në Katar. “Që kur kemi fituar Kupën e Amerikës në Brazil jemi liruar dhe japim më shumë. Por pasi kemi fituar dhe Kupën e Botës, atëherë kemi rritur dhe më shumë ritmet. Kemi rritur besimin dhe zgjidhim çdo ndeshje pavarësisht se kë kemi përballë, apo me kë ndeshemi”.
Mesi nuk ka munguar ta krahasojë Argjentinën me Barcelonën e mrekullive të Pep Guardiolës, pavarësisht se nuk e kishte të lehtë. “Barcelona është skuadra më e mirë e historisë, por për atë që tregojmë në fushën e lojës, për mënyrën se si jemi të bashkuar, për futbollistët e mëdhenj që kemi dhe për stilin e lojës mendoj se nuk jemi shumë larg atij modeli”.
Lojtari i jashtëzakonshëm nga Rozario, i destinuar për të fituar Topin e Artë të tetë në karrierën e tij, ka lavdëruar më pas dhe punën e Skalonit: “Shpresojmë që të vazhdojmë në këtë rrugë dhe me atmosferën e mirë që ndihet në dhomat e zhveshjes kam shumë besim se do të jemi të tillë. Janë djem shumë të rinj, të cilët pasi kanë fituar shumë kërkojnë të vazhdojnë në këtë rrugë. Mesazhi që trajneri ka dhënë pas Botërorit është se do të duhet të riniset gjithçka nga zero. E pasi ke fituar nuk është e lehtë, por jemi duke ia dalë të vazhdojmë në atë rrugë”.