“Mishin ne, kockat ju”, dalin në shitje biletat e Kombëtares për “fatëkeqët”

Në një kohë që biletat e ndeshjes Shqipëri-Republikë Çeke po shiten në treg të zi për vlera të çmendura deri në 500 euro, FSHF e kapur në pozicion jashtë loje për këtë proces aspak transparent, kërkon të justifikojë gjithë atë “masakër” që mbetet ende e diskutueshme, me një veprim diametralisht të kundërt. Çmime popullore për sfidën miqësore me Bullgarinë.

Me këtë kërkon t’i joshë FSHF njerëzit e zhgënjyer pa bileta për 12 tetorin. Më së pakti kjo është një thirrje tallëse ndaj njerëzve që Kombëtaren e duan si në ndeshje zyrtare ashtu edhe në miqësore por këtë herë për fatin e keq të tyre, mundësinë për të qëndruar pranë kuqezinjve në sfidën vendimtare me Çekinë, nuk e kanë.

Komunikata e FSHF:

“Më 17 tetor, Kombëtarja shqiptare do të luajë një ndeshje miqësore kundër Bullgarisë, një sfidë që është planifikuar të nisë në orën 18:00 dhe do të luhet në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’. Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë të gjithë futbolldashësit dhe tifozët e Kombëtares se nga dita e sotme do të kenë mundësi që të blejnë biletat e tyre për këtë miqësore në linkun: ebileta.al. Çmimi i biletave për këtë takim miqësor të Kombëtares shqiptare varion nga 1.000 – 3.000 lekë. Tribunat pas porte S dhe N, si edhe tribunat këndore E101, E109, E201, E202, E210, E211 do shiten nga 1 mijë lekë të rinj, teksa tribunat E variojnë nga 2.000 – 3.000 lekë. FSHF nënvizon se biletat do të shiten vetëm ONLINE në këtë link dhe çdo faqe tjetër është e paautorizuar për të shitur bileta”.

Thirrje për t’u ulur në tryezën e “kockave” ku vetëm 5 ditë më parë kanë darkuar “pashallarët” që biletat e 12 tetorit i kanë siguruar në kanale diplomatike, politike, sportive (jo fair play) dhe sigurisht edhe në tregun e zi që i ka bërë pis të gjithë.

sfidanti.al