Klubi i Serisë A nuk mjaftohet me Cunin dhe Kalajn, vjen firma me një tjetër shqiptar

Shtohet numri i futbollistëve shqiptarë në klubet e Serisë A. Një tjetër lojtar i bashkohet Frozinones, në radhët e të cilit gjenden aktualisht Marvin Çuni dhe Serxho Kalaj. Bëhet fjalë për talentin Justin Ferizaj, i cili ka shkëlqyer deri tani edhe në arenën ndërkombëtare duke veshur fanellën e përfaqësueseve të moshave të Irlandës.

Djaloshi 18-vjeçar ka qenë pjesë e Shamrok Rovers në Irlandë, duke debutuar edhe me ekipin e parë në ndeshje zyrtare. Por ai tashmë ka ndërmarrë hapin e madh në karrierë, duke iu bashkuar klubit të Frozinones i cili ka nisur një projekt me futbollistë të rinj. Zyrtarizimi ka ardhur nga klubi irlandez, i cili i uronte fat futbollistit me një publikim në faqen zyrtare. Për Ferizajn ky padyshim është një test shumë i rëndësishëm për karrierën, pasi tanimë do të ketë mundësinë që të tregojë të gjithë vlerat e tij në një nga kampionatet më të rëndësishme në botë.

 

sfidanti.al