Ndjek Realin edhe pa Mesin, Barça ka Suarezin dhe Nejmarin!

Nga MSN u bë SN, por u duk sikur ishte e plotë. Treshja më e famshme sulmuese e botës nuk ishte e plotë, veçse edhe ashtu siç qe ndihmoi Barcelonën të triumfonte në fushën e Granadës dhe të vazhdonte ndjekjen e Realit.

Luis Suarez, Pako Alkaser, Matjë Saunier (autogol) dhe Nejmar ishin autorët e golave në suksesin 4-1, që e ngjiti skuadrën katalanase në 66 pikë, dy më pak se Reali që gjithsesi ka edhe një ndeshje më shumë për të luajtur. Megjithatë, kur vjen puna tek golat, askush nuk është si Barça që ka realizuar 85 gola në 29 ndeshje, ndaj 74 të Realit në 28.

Me rivalët e tjerë që kanë mbetur prapa (Atletiko e Sevilja kanë nga 58 pikë), gara për titull është kthyer në duelin e dikurshëm klasik. Barça ka edhe dy shënuesit më të mirë të kampionatit, me Mesin që ka 25 gola dhe Suarezin 23, ndaj 19 të Ronaldos.

Sfidanti.al