Një pyetje që është e destinuar të mbetet pa përgjigje: përse na kthehen përsëri futbollistët që shiten në klubet e huaja? Shyqyr zotit, që nuk na shterron kurrë hipokrizia, ndaj dhe ndodh mrekullia që na përsëritet çdo sezon. Janë kthyer shumë futbollistë dhe “dasma” jonë ka filluar me dajre. Të lumtur i shesim, po prapë të lumtur i “riblejmë”. Rasti më i freskët, nuk janë futbollistët që u kthyen tek Tirana dhe ekipet e tjera , por Krymi i Vllaznisë që e ka bërë “krenar” klubin që erdhi pas një viti nga Soligorski i Bjellorusisë…
Ju kujtohet se sa zhurmë bëmë kur sulmuesi Skuka u shit në Francë? Pale kur flitej për paratë, dukej sikur kishim shitur “Mbapen”, dhe shfaqeshin të gjithë të lumtur, jo vetëm te Partizani. Madje edhe Dinamo që e fali për dy aspra, se i prishte punë planeve të trajnerit të atëhershëm Shkëmbi… mburrej! Dhe Skuka në Francë nuk puthi në fushë me Metzin, tani po kërkon fatin në Kroaci. Dashtë zoti, kuptohet ai i futbollit..që një ditë të mos kthehet në Superligë.
Një gjë është e sigurtë : do ta presim sikur ta kemi zbuluar nga e para! Siç ndodh me futbollistët që na kthehen nga jashtë, ende pa lëshuar hije në fushë. Edhe pse bëjmë sikur nuk e dimë arsyen pse kthehen, futbolli ku vijnë, me 100 halle dhe gënjeshtra, i mirëpret si heronj ngaqë nuk e “tradhëtojnë” vendin e tyre…
Sfidanti.al