E duan në Angli dhe Spanjë, Bajern, shtrëngoje mirë Xhoshua Kimihun!

Xhoshua Kimih është emri më interesant i sezonit të fundit tek Bajerni. Lojtari mbrojtës po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në skuadrën e trajnerit Karlo Ançeloti, dhe po ashtu ka arritur në 13 ndeshje (1 gol) me Gjermaninë. Në moshën 22-vjeçare ai duket gati për të marrë përsipër role që deri tani i kanë luajtur të tjerë.

Gjithsesi, Bajerni duhet të bëjë kujdes, pasi informacionet vijnë se në Angli dhe Spanjë po mendojnë për ta “vjedhur” futbollistin. Gazeta gjermane “Bild” njofton se Mançester Junajtid i Murinjos dhe Mançester Siti i Guardiolës janë shumë të interesuar, ashtu si edhe Barcelona, por edhe një klub tjetër në Spanjë. Nuk dihet sesa do të duhet të shpenzohet për kartonin e tij, veçse përgjigja më e thjeshtë do të ishte “shumë”, me “pazaret” e futbollit që nuk tremben as në nivelin e 50 milionë eurove.

Bajerni, megjithatë, ka planet e veta për Xhoshua Kimihun. Me largimin në fund të sezonit të kapitenit Filip Lahm, ai mund të mbulojë rolin e mbrojtësit të krahut të djathtë, por është i talentuar për të luajtur edhe në role të tjera. Besohet se Ançeloti mund ta vendoë edhe në pozicionin e Shabi Alonsos, që gjithashtu i jep fund karrierës në qershor.

Sfidanti.al