Vlerësimi teknik mund të jepet lirshëm, ndërsa rezultati dihet. Është Jasir Asani autori i golit më të bukur të raundit eliminator të Kampionatit Europian të luajtur në 17 qershor. Futbollisti i kombëtares triumfoi në sondazhin e organizuar nga UEFA në faqen e saj zyrtare, ndërsa ishin përzgjedhur katër realizime që u gjykuan si më të mirët. Asani shënoi në minutën e 52-të për t’i dhënë avantazhin 1-0 Shqipërisë ndaj Moldavisë në “Arenën Air Albania”. Ai triumfoi në votimin e tifozëve në të gjithë Europën.
Pas rrjetës së shqiptarit nga Shkupi, u rendit një tjetër futbollist nga Maqedonia e Veriut, dhe që luan pikërisht për këtë ekip kombëtar. Elis Elmas realizoi me të vërtetë një gol shumë të bukur në sfidën që Maqedonia e Veriut e humbi në Shkup ndaj Ukrainës me rezultatin 2-3 dhe me përmbysje. Vështirë ta përcaktosh se cili ishte më i vështirë nga ana teknike, goli i Asanit apo i Elmasit.
Në vend të tretë u rendit futbollisti i Armenisë, Ranos, i cili shënoi në Kardif, në ndeshjen e fituar 4-2 nga armenët kundër Uellsit vendas. Së fundmi, Bernardo Silva i Portugalisë. Ylli i Mançester Sitit realizoi në fitoren 3-0 të “luzitanëve” në Lisbonë kundër Bosnjë- Hercegovinës. Ky gol u vlerësua më shumë për aksionin kolektiv sesa për mjeshtërinë individuale të Bernardo Silvës.
Sfidanti.al