Mançester Siti fiton Championsin, Interi “bie” duke luftuar!

Mund të thuhet se fati ishte paracaktuar. Mançester Siti fitoi Championsin dhe u ngjit në krye të Europës, duke respektuar të gjitha parashikimet, ndonëse finalja e Stambollit ndaj Interit nuk ishte aspak një shëtitje, por një betejë. Pep Guardiola ia doli më në fund të merrte Ligën e parë të Kampionëve pa Lionel Mesin në fushë, diçka që nuk ndodhte që nga koha e Barcelonës në vitin 2011. Në stadiumin “Ataturk” fitoi skuadra më e mirë, që ishte kampionia e Anglisë, veçse për këtë u desh edhe fati. Fati i finales u vendos nga goli i shënuar nga Rodri në 68’, që vuri drejtësinë për atë që ekipet kishin dhënë në fushë.

Gjithsesi, zikaltërit patën shanset e tyre, në të dyja pjesët, sidomos në të dytën. Barela, Lautaro Martinez, Dimarko dhe Lukaku fare mirë mund të kishin shënuar, ashtu si edhe Bernardo Silva, Halandi apo Fodeni. Ky ishte Championsi i parë për Mançester Sitin, që u fut më në fund mes të mëdhenjve të Europës. Interi, ndërkaq, dështoi të fitonte titullin e katërt, ndërsa Simone Inzagi e humbi një finale, ndonëse është specialist i madh. Në këtë mënyrë, përfundoi një sezon i shkëlqyer për të besuarit e Guardiolës, që morën tre tituj të mëdhenj, në fillim Premier Ligën, pastaj Kupën e Anglisë dhe tani edhe Ligën e Kampionëve.

Sfidanti.al