Nga dashuria italiane tek ajo kroate, ndryshojnë ndjenjat tek Partizani

Dyshimi i parë u shua. Xhovani Kolela nuk do të jetë më trajner i Partizanit. Tekniku italian dha dorëheqjen e parevokueshme vetëm pak ditë pasi festoi titullin kampion në Superligë. Një lëvizje aspak surprizë, duke parë ngjarjet e fundit në klubin e kuq, që me anë të një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale zyrtarizoi “divorcin” me Kolelën. Tashmë mbetet një tjetër pikëpyetje që kërkon përgjigje. Kush do të ulet në pankinën e Partizanit. Të gjitha të dhënat që dalin me pikatore nga zyrat e Partizanit të çojnë drejt Kroacisë. Zgjedhja e parë ishte Tomislav Stipiç, madje palët u ulën në tavolinën e bisedimeve, por pa arritur të gjenin gjuhën e përbashkët. Për këtë arsye në krye të listës së kandidatëve për t’u ulur në pankinën e kampionëve të Shqipërisë është ngjitur Zoran Zekiç, edhe ky kroat. Trajneri 49 vjeçar ka një CV të pasur, ndërsa ka drejtuar skuadra si Sherif Tiraspol, Osijek apo Slaven Belupo. Partizani kërkon të mbyllë sa më shpejt çështjen e trajnerit të ri, pasi pjesmarrja në turin eliminator të Champions League afron shumë nisjen e sezonit të ardhshëm.

Sfidanti.al