Sokol Cikalleshi siguron mbijetesën e ekipit të tij me 10 gola në Arabinë Saudite!

Kontributin e pati të rëndësishëm, dhe në fund erdhi shpërblimi. Jo më kot Sokol Cikalleshi shënoi 10 gola këtë sezon në Arabinë Saudite, dhe skuadra e tij Al Halixh siguroi mbijetesën në javën e fundit. Kjo pas fitores 3-1 ndaj rivalit Abha, dhe fitores 2-0 të Etifakut në Al Adalah. Cikalleshi ka qenë një nga lojtarët më të mirë të ekipit, për të mos thënë më i miri, dhe njëri nga meritorët kryesorë që edhe vitin tjetër Al Halixhi do të luajë në Ligën Profesioniste të Arabisë Saudite. Ndërkaq, sezoni në vendin e Lindjes së Mesme përfundoi me disfatën e Kristiano Ronaldos.

Superylli portugez u detyrua të kënaqej me vendin e dytë edhe pse Al Nasri fitoi 3-0 në javën e fundit. Gjithsesi, shpresat kishin humbur me kohë dhe Ronaldo nuk luajti në këtë ndeshje. Kampione e Arabisë Saudite u shpall Al Itihadi që fitoi 2-0, duke e përfunduar ligën me pesë pikë më shumë sesa ekipi i Ronaldos. Festë e madhe për Al Itihadin, e padyshim zhgënjim për CR7-ën që synonte një tjetër titull në karrierë.

Sfidanti.al