Farruk Sejdini: Ky kampionat po zhduk enigmën e futbollit, pas enigmës zhduken edhe tifozët!

Është pak të thuash se është i pakënaqur. Mënyra sesi u mbyll ky sezon i Abisnet Superligës i ka krijuar një shije tepër të keqe një emri të njohur të futbollit shqiptar, Farruk Sejdinit. Trajneri i shumë ekipeve, por sidomos emblema e Dinamos, lëshon kritika të forta, duke e nisur me ndeshjen që Tirana luajti në Rrogozhinë me Bylisin.

“Më bëri shumë përshtypje, – tha ai, – që Tirana luajti ndeshjen e jetës në Rrogozhinë, sepse në “Arenë” kishte koncert. Nuk e di sesi një ekip që luan për titull shkon të luajë në fushë asnjanëse, duhet të jetë rast unikal botëror. Për më tepër, Tirana nuk kundërshtoi fare, nuk protestoi, nuk pati polemika, por shkoi si dele (siç themi ne) për të luajtur ndeshjen”.

Jo më pak “fshikullima” edhe për ndeshjet e javës së fundit. “Më bëri përshtypje mënyra sesi luajti Bylisi, edhe pse duhej të luftonte për mbijetesën, – vazhdon Sejdini, – më habiti Egnatia me Kukësin, pasi nuk luhet në atë mënyrë edhe kur e ke siguruar objektivin. Më habiti Teuta me Partizanin, dhe skuadrat po luanin sikur ishin dakord për të marrë atë që morën në fund”.

Logjikshëm, i mbiquajturi “xhaxhi”  nxjerr përfundimin për dëmin që i shkaktohet futbollit. “Tifozët bëjnë qindra kilometra për të parë ndeshjet sepse i tërheq enigma, – shprehet njeriu i stolit, – nëse ne zhdukim enigmën, kemi larguar tifozët. Dhe nëse largohen tifozët merr fund futbolli, sepse futbolli luhet për ta”.

Sfidanti.al