Interi fiton një tjetër kupë, Lautaro ishte magjik, ndërsa ëndrra është Championsi

Nisja ishte e gabuar, ndonëse i duhet dhënë merita kundërshtarit. Interi vuajti jo pak në startin e finales së Kupës së Italisë, kur Fiorentina kaloi shpejt në avantazh, por gjithsesi arriti të reagonte. Parashikimet u respektuan në stadiumin “Olimpiko” të Romës, me skuadrën e trajnerit Simone Inzagi që fitoi 2-1, falë lojës kolektive, dhe talentit për gol të Lautaro Martinezit. Sulmuesi argjentinas shënoi të dy golat e përmbysjes që në pjesën e parë, ndërsa zikaltërit mund të thuhet se e merituan, ndonëse “vjollcët” bënë më shumë, me gjasë të detyruar nga rezultati 1-2 që në 37’.

Inzagi bëri disa zëvendësime pas pushimit, duke hequr Xhekon për Lukakun, Bastonin për De Vrajin, Dimarkon për Gosensin, Çalhanoglunë për Galiardinin dhe Lautaron për Korrean. Për fat të keq, këtë herë nuk pati minuta për Kristjan Asllanin që ishte në stol, ndryshe nga ndeshja e kampionatit në Napoli ku luajti titullar. Kjo ishte kupa e 9-të e Interit në histori, dhe e dyta radhazi, ndërsa rekordin e trofeve në 101 vjet ekzistencë e ka Juventusi me 14.

Sfidanti.al