Me shumë gjasë rekordin nuk do ta thyejë, edhe pse Këpucën e Artë do ta fitojë. Myrto Uzuni gjithsesi ka një moment edhe më të rëndësishëm përpara vetes, pasi në 27 maj mund të jetë pjesë e La Ligës. Ekipi i tij, Granada, arriti një fitore tepër të rëndësishme 3-1 në fushën e Mirandesit, duke kryesuar renditjen e ligës së dytë, një javë para përfundimit të sezonit. Uzuni nuk shënoi dot në këtë ndeshje, por kontribuoi jo pak. Ai detyroi vendasit të luanin që në fillim me 10 lojtarë pasi një futbollist i Mirandesit doli me të kuq për faull ndaj tij. Më pas, mori pjesë në aksionin e golit të dytë, që riktheu avantazhin.
Tashmë, Granada është e sigurt për në elitën e futbollit spanjoll nëse fiton ose nëse barazon sfidën e fundit. E përditshmja e qytetit, “Granada Hoj” shkruan se ekipi bardhekuq mund të ngjitet edhe nëse humbet ndeshjen e fundit. Kjo, nëse Levante nuk fiton ndaj Oviedos. Gazeta e shquar e Madridit, “Marka” e cilëson Granadën si favorite për ngjitjen, ndonëse shton se ky ekip ende duhet që të presë. Vetë Uzuni ka 22 gola duke qenë në krye të renditjes, ndërsa Raul i Mirandesit ka 19. Rekordi i rrjetave në Ligën e dytë të Spanjës është 25 gola dhe mbetet në fuqi që nga viti 1955.
Sfidanti.al