Euroliga, Tavares mund Barcelonën, dërgon Realin në finale!

Një tjetër “El Klasiko” i koshit i fituar nga madrilenët, dhe sërish kur nuk ishin favoritë. Reali u kualifikua për në finalen e Euroligës për meshkuj, që është Championsi i basketbollit, me suksesin 78-66 ndaj Barcelonës në Arenën “Zhalgirio” të Kaunasit në Lituani. Edhe pse “merengesit” mezi u kualifikuan duke vuajtur tmerrësisht përballë Partizanit të Beogradit, sërish në momentin kyç ata mundën të reagonin. Gjigandi Tavares ishte lojtari më i mirë i gjysmëfinales së “Katërshes finale”, me 20 pikë dhe 15 topa në tabela, aspak keq për traditën e Euroligës, që luhet në 40 minuta, jo 48 si NBA. Nota e tij ishte 36! Reali do të luajë në finalen e së dielës ndaj Olimpiakosit të Pireut që eliminoi Monakon e Francës, me fitoren 76-62!

Sfidanti.al