Lebroni eliminon Golden Stejtin, Majemi gjithashtu kualifikohet

Los Anxheles Lejkërs dhe Majemi janë dy skuadrat e tjera të finaleve të Konferencave.  Me LeBron Xhejms në një mbrëmje të shkëlqyer, skuadra kaliforniane mundi 122-101 Golden Steit, duke mbyllur serinë e gjysmëfinaleve me rezultatin e përgjithshëm 4-2. “Mbreti” i Lejkërs shënoi 30 pikë në triumfin e ekipit të tij. Po ashtu, Xhejms iu afrua tre shifrave dopjo, duke plotësuar ndeshjen e tij të madhe me 9 asist dhe po aq topa të kapur në tabelë. Shënuesi tjetër më i mirë për Lejkërs ishte Rives me 23 pikë, ndërsa me dy shifra dopjo 17 pikë dhe 20 ribaund e mbylli ndeshjen Entoni Devis i pakapshëm poshtë tabelave.

Mbyllet këtu sezoni për Golden Steit, pasi kampionëve në fuqi të NBA nuk iu mjaftuan 32 pikët e shënuara nga i zakonshmi Stefën Kerri. Në finalen e Konferencës së Perëndimit, Los Anxheles Lejkërs do të përballen me Denver Naxhets.

Për herë të tretë në historinë e tij siguron një vend në finalet e Konferencave edhe Majemi, që mbylli 4-2 serinë ndaj Nju Jork Niks, pas fitores në ndeshjen e gjashtë me rezultatin 96-92.  Edhe një herë, heroi i Hits ishte Xhimi Batler me 24 pikë, ndërsa edhe Adebajo dha një dorë të mirë në suksesin e skuadrës së tij me 23 pikë të tjera. Për njujorkezët nuk ishte e vlefshme paraqitja e shkëlqyer e Xhalen Bronson me 41 pikë dhe shifrën më të lartë të shënuar në karrierën e tij në plej-of.  Tashmë, Majemi pret të njohë rivalët e finales në Konferencën e Lindjes që do të dalin nga ndeshja e shtatë mes Boston dhe Filadelfias.

Sfidanti.al