Prag Milan-Inter, kush do ta fitojë Derbin e Madoninës në Champions?!

Ky stadium është në një qytet që ka lidhur gjithmonë Italinë me Europën. “San Siro” i Milanos do të jetë skenë e një tjetër ndeshjeje historike futbolli, dhe gjysmëfinalja e Championsit nuk mund të ishte më e ndjeshme sesa kur luhet një derbi. Milani pret Interin në atë që quhet fusha e vet, në përsëritje të një tradite që zakonisht ka folur për të. Në gjysmëfinalen e 2003-it ishin kuqezinjtë që eliminuan kushërinjtë zikaltër, ashtu siç ndodhi edhe në çerekfinalen e 2006-ës, gjithmonë në Ligën e Kampionëve. Gjithsesi, jo gjithmonë e kaluara përcakton të ardhmen, ndonëse ndikon fort, diçka që e dinë mirë trajneri Stefano Pioli dhe futbollistët e tij. Kampionia e Italisë është stërvitur fort përpara duelit, ndonëse Ibrahimoviç e Pobega nuk luajnë dhe Leao është në dyshim deri në fund. Ky Milani jo gjithmonë ka bindur dhe në Serinë A.

“Mendoj se skuadra ka qenë gjithnjë e motivuar dhe ka dhënë shpirtin në fushë, – thotë ai, – Natyrisht, që kjo nuk mjafton nëse nuk do të luajmë me cilësi në lojë, dhe të jemi të vëmendshëm. Këtë herë ndaj Interit do të jetë më e vështirë. Është një gjysmëfinale Championsi, dhe kur luan në këtë nivel presioni është shumë i madh. Gjithsesi, është edhe një sfidë shumë e bukur për ta luajtur”

Edhe tek Interi e presin këtë sfidë me emocion dhe shpresë. Pavarësisht disfatave në Champions ndaj Milanit, zikaltërit kanë suksese në ndeshje me eliminim direkt nën drejtimin e trajnerit Simone Inzagi. Tekniku është specialist në kupa, ndërsa Interit i mungojnë Shkriniar e Gosens, por sulmi është në formë të madhe me Lukakun, Lautaro Martinezin e Xhekon.

“Kualifikimi në Champions, suksesi në Kupën e Italisë dhe disa fitore në kampionat natyrisht kanë bërë që të përgatitemi më mirë, – shprehet ai, – Gjithsesi, e dimë se bëhet fjalë për një gjysmëfinale të Championsit, dhe është një derbi. Nuk mund ta fshehim rëndësinë që ka kjo ndeshje për ne, për klubin dhe për tifozët tanë, ndaj edhe duam që ta luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme”. Parashikimet janë më shumë në favor të Interit, por kur vjen puna në Champions, Milani nuk mund të nënvleftësohet asnjëherë.

Sfidanti.al