Është parë shumë pak në fushë këtë vit, por gjithsesi e duan. Armando Broja mbetet një nga futbollistët e Çelsit më të pëlqyer nga tifozët, pavarësisht se ka shënuar vetëm një gol, dhe mbetet i dëmtuar që nga dhjetori i kaluar. Në një sondazh në Tuiter të bërë me përkrahësit e Bluve të Londrës, nga një faqe e lidhur pikërisht me Çelsin, shihet se plot 66.7 për qind e tifozëve janë që Broja të vazhdojë në ekip edhe për sezonin e ardhshëm. Vetëm rreth 9 për qind ishin që klubi duhet ta shesë kartonin e shqiptarit, ndërsa 24 për qind gjykuan se do të ishte mirë që ai të huazohej përsëri.
Një vlerësim aspak i vogël për yllin 21-vjeçar të kombëtares së Shqipërisë, që është pjesë e një skuadre ku nuk mungojnë yjet, përkundrazi. Gjithsesi, tek Çelsi zotëron kaosi i plotë pas rezultateve katastrofike këtë sezon, ndërsa pronari Tod Boehli ka shpenzuar 600 milionë paundë stërlina për përforcime që nga vera e kaluar. Broja vazhdon riaftësimin pas dëmtimit të rëndë në gju të pësuar në dhjetor, dhe pritet të kthehet vetëm në fazën përgatitore verore. Sulmuesi kuqezi rinovoi kontratën në “Stemford Brixh” pikërisht në shtator, rreth 8 muaj më parë, një akord që vlen deri në 2028.
Sfidanti.al