Alegri humb mendjen nga kriza e Juves, çfarë sherri me gazetarët!

Duket se nuk mund të vazhdojë më në detyrë. Masimiliano Alegri është një trajner i shquar dhe fitues serial në Itali, veçse Juventusi po mendon ta largojë në fund të sezonit, dhe vetë tekniku duket se ka humbur mendjen. Pas disfatës së pësuar me Interin në Kupën e Italisë, Alegri doli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes në fushën e Bolonjës sot në mbrëmje në Serinë A. i acaruar nga momenti i vështirë, me tri humbje radhazi në kampionat, dhe me vetëm një fitore në 5 sfidat e fundit, trajneri nuk ishte aspak i qetë, dhe u përplas me një gazetar pasi iu bë një pyetje.

“Thuaje ti! Shkruaje ti!, – thirri ai, – ëse ke një mendim, shkruaje atë. Unë as nuk jam i kënaqur, dhe as i pakënaqur. Unë nuk kam rënë moralisht as kur humbëm finalen e Championsit. Kështu jam unë! Çarë pyetjeje është kjo, më falni? Mund të bëhen pyetje më inteligjente”.

Pozitat e trajnerit i rëndoi edhe më shumë shpërthimi i tij ndaj lojtarëve në dhomën e zhveshjes pas eliminimit nga Kupa e Italisë prej Interit në “San Siro”. Besohet se Alegri i ka humbur lojtarët, por gjithsesi ai nuk dorëzohet.

“Ka edhe 35 ditë deri në fund të sezonit, – deklaroi tekniku, – Kemi ende gjëra që mund t’i fitojmë apo që mund t’i arrijmë. Jemi në Ligën e Europës dhe jemi në zonën Champions në Serinë A. Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Këtë sezon Napoli ka fituar titullin, dikush do të fitojë Championsin. Një ekip tjetër do të fitojë Ligën e Europës, dhe një tjetër Kupën e Italisë. Mos do të thotë kjo se gjithë ekipet e tjera kanë dështuar?”

Juventusi është në garë për të fituar Ligën e Europës, pasi është kualifikuar në gjysmëfinale, ndërsa synon të kualifikohet për në Champions sezonin e ardhshëm, pra të jetë në katër vendet e para në Serinë A.

Sfidanti.al