Çdo histori e bukur e ka një fund. Kështu duket se po ndodh edhe me Granit Xhakën dhe epokën e tij aspak të vogël tek Arsenali. Mediat angleze raportojnë se mesfushori shqiptar nga Zvicra mund të largohet në verë, pasi trajneri Mikel Arteta mendon të bëjë ndryshime në skuadër. Xhaka, që ka 7 sezone në “Emirejts”, besohet se në moshën 30-vjeçare mund të mos jetë më në lartësinë e asaj që kërkon Arsenali, ndërsa Arteta synon të ketë sa më shumë fonde për të bërë blerje për sezonin e ardhshëm. Kapiteni i Zvicrës ka mbërritur tek topçinjtë në 2016, dhe në shtatë sezone ka luajtur gati 300 ndeshje.
Edhe pse kaloi periudha të vështira, duke humbur shiritin e kapitenit pas përplasjes verbale me tifozët e Arsenalit, tre vjet më parë në një ndeshje në shtëpi ndaj Kristël Palasit, ai arriti të rikthehej. Këtë sezon, Xhaka është cilësuar si njëri nga lojtarët më të mirë të ekipit, që ka kryesuar Premier Ligën thuajse gjatë gjithë vitit dhe që mbetet pretendet për të fituar titullin kampion për herë të parë pas 19 viteve. Gjithsesi, humbja 1-4 në fushën e Mançester Sitit ishte një goditje e rëndë, ndërsa opinionistët patën kritika për shqiptarin e Zvicrës, ashtu si edhe për lojtarë të tjerë si Odegard, Zinçenko apo Partej.
Sfidanti.al