Për ata që e njohin dhe që e kanë ndjekur, duket e pabesueshme që ka mbushur 60 vjeç. Hysen Zmijani pati një përvjetor të madh, dhe në Shkodër nuk e lanë pa e nderuar personalitetin e shquar të futbollit. Një ndeshje mes veteranëve u luajt në stadiumin “Loro Boriçi”, në të cilën morën pjesë emra të dëgjuar të historisë së Vllaznisë, Flamurtarit, Tiranës, Partizanit apo Dinamos. Sulejman Demollari, Rudi Vata, Vasil Ruci, Ilir Lame, Agustin Kola e shumë të tjerë respektuan shokun e tyre, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit i dha titullin e Legjendës së Futbollit shqiptar. Vetë Zmijani foli thjesht pas ceremonive.
“Emocioni është i madh që kanë ardhur kaq shokë nga Vlora dhe Tirana për mua, – tha ai, – e habitshme që jam 60 vjeç, nuk e kisha menduar, por duhet ta pranojmë. Duket sikur po e mbyll me futbollin, por dua që të jap sërish kontribut. Kam luajtur gjithë jetën në Shqipëri me Vllazninë, që është ekipi im i zemrës. Dua të jap sërish për të”. Zmijani në Shqipëri ka luajtur vetëm për Vllazninë, ndërsa ka provuar futbollin në Francë, Arabinë Saudite apo Korenë e Jugut, ndërsa ka 36 ndeshje e dy gola me kombëtaren.
Sfidanti.al