Thoma Strakosha, Elseid Hysaj dhe Arlind Ajeti. Për koincidencë janë të tre futbollistë të Serisë A, ata që kaluan “klasën” për ndeshjen në Itali, sipas gjykimit të televizionit të specializuar sportiv, “Eurosport”. Portieri i Lacios, mbrojtësi i Napolit dhe mbrojtësi i Torinos morën notën 6.5, ndërsa menjëherë pas tyre, me notën 6, ishin dy lojtarë të tjerë, Odise Roshi i pëlqyer në sulm, dhe Frederik Veseli i pëlqyer në mbrojtje. Ishin më së shumti këta që nuk lanë që rezultati të ishte më i thellë. Pjesa tjetër e Shqipërisë u vlerësua me 5.5, bashkë me trajnerin De Biazi.
Tek Italia, më i dobëti ishte Lorenco Insinje i Napolit, që nuk mundi ta kalonte asnjë herë shokun e tij të skuadrës, Hysajn. Portieri Bufon mbeti pa notë në ndeshjen e tij numër 1 000 në karrierë, pasi nuk pati punë për të bërë. Shqipëria, megjithë përpjekjet, nuk arriti ta vinte në provë.
Sfidanti.al