Partizani, një hap larg titullit në volejboll për femra!

Korçaret ndoshta ishin cilësuar favorite në prag të sfidës, por tashmë realiteti ka ndryshuar. Është Partizani që kryeson në serinë finale të plej ofit në volejboll për femra, duke arritur një sukses të vështirë, por të merituar në kryeqytet ndaj Skënderbeut. Vajzat kryeqytetase fituan setin e parë 25-23, por pastaj ekipi mik reagoi. Skënderbeu fitoi setin e dytë me të njëjtat shifra, 25-23, dhe pastaj edhe të tretin, që nuk dalloi nga të tjerët dhe përfundoi 25-23. Gjithsesi, ekuilibri në këtë sfidë do të mbaronte këtu, pasi në vazhdim ishte Partizani që dominoi. Vendaset triumfuan bindshëm në setin e katërt 25-17, ndërsa në setin final nuk pati asnjë lloj historie.

Kryeqytetaset u shkëputën menjëherë në 6-0, pastaj në 10-2 për të marrë setin e fundit 15-7. Vajzat e kuqe kryesojnë 2-1 me fitore në serinë finale pas triumfit 3-1 në ndeshjen e parë dhe humbjes 0-3 në të dytën. Ndeshja e katërt finale e plej ofit do të luhet këtë të hënë në Korçë, dhe nëse Partizani fiton atëherë merr titullin. Në rast fitoreje të Skënderbeut, do të luhet finalja e pestë dhe e fundit në kryeqytet që do të vendosë fatin e këtij kampionati.

Sfidanti.al