El Klasiko sot do të thotë luftë, çfarë përplasjeje mes Barcelonës dhe Realit!

Ishte 1939 dhe pas tre vitesh të përgjakshme, në Spanjë mori fund Lufta Civile. Fitues, me ndihmën e fuqive të atëhershme të Boshtit, doli gjenerali më i ri në historinë ushtarake të shtetit iberik, Fransisko Franko, i cili pas Madridit, mbajti një parakalim domethënës në Barcelonë. Katalonja kishte qenë një nga kundërshtarët e tij kryesorë, ndërsa bashkë me pushtetin e Frankos u rikthye Spanja e centralizuar, e gjuhës kastiliane, ku nuk njiheshin etnitë e tjera, as gjuha dhe traditat e tyre. Kjo histori kujtohet sot kur mes dy klubeve më të mëdhenj të Europës, Barcelonës e Realit të Madridit, ka nisur një luftë e hapur. Kjo, pas akuzave se Barça i ka paguar 7 milionë euro ish-zv. shefit të arbitrave, Negreira, në këmbim të favorizimeve.

Presidenti katalanas, Zhoan Laporta, deklaroi se klubi i tij e pagoi Negreirën si këshilltar, por Reali është rreshtuar në anën e akuzuesve. Kjo bëri që Laporta të shpërthente në një sulm frontal. “Dua t’i referohem një klubi që po na sulmon hapur, që është shfaqur si akuzuesi ynë kryesor, – deklaroi ai, – Një klub që thotë se është paragjykuar gjithmonë nga ana sportive. Ky klub është Reali i Madridit. Një klub që të gjithë e dimë se është favorizuar nga vendimet e arbitrave historikisht dhe në kohën që po flasim. Kjo për arsye që i dimë të gjithë. Shumica e drejtuesve të arbitrave kanë qenë pjesë e Realit. Një klub që është konsideruar si klubi i regjimit”.

Reali u përgjigj me një video të botuar në faqet e tij zyrtare në rrjetet sociale. “Kush ishte ekipi i regjimit”, titullohej videoja, që sqaronte se stadiumi “Kamp Nou” u përurua nga kryeministri i Frankos, Hoze Solis Ruiz. E gjitha kjo ilustrohet me pamjet e inaugurimit të impiantit të madh. Më pas, Madridi tregon sesi Barça i dha një medalje prej ari dhe gurësh të çmuar diktatorit spanjoll. Po ashtu, që klubi katalanas e bëri Frankon anëtar nderi në 1965, si dhe i dha tri dekorata. Edhe më e rëndësishme, Reali thekson se Barça u shpëtua tri herë nga Franko që të mos falimentonte.

Historia e lidhjeve të Frankos me Realin është diskutuar shpesh dhe besohet se klubi i Santiago Bernabeut simbolizonte gjithçka që diktatori dëshironte. Skuadër të Madridit, kastiliane dhe spanjolle, të fuqishme dhe dominuese në Europë. Nga Katalonja, por edhe nga shumë analistë futbolli argumentohet se pasuria, dominimi dhe shkëlqimi madrilèn i detyrohet jo pak lidhjeve me shtetin. Reali fitoi 14 tituj të La Ligës gjatë viteve të Frankos, ndaj 8 të Barçës si dhe 6 Kupa të Kampionëve. Duke u kthyer tek skandali “Negreira” dhe lufta e hapur Barcelonë-Madrid, vlen të theksohet se “El Klasikot” kanë qenë gjithmonë një luftë, dhe nuk dihet sesi do të luhen këtej e tutje.

Sfidanti.al