Simeone: Kisha 35 milionë arsye për të ikur nga Atletiko!

Nuk është nga Madridi dhe as Atletiko nuk është klubi që e ka bërë futbollist. Gjithsesi, ka lidhje shpirtërore që bëhen vetvetiu të forta, dhe kështu është bërë ajo e Diego Pablo Simeones me skuadrën bardhekuqe të kryeqytetit të Spanjës. Pas 6 vitesh në “Visente Kalderon” argjentinasi është bërë simbol i klubit të punëtorëve të Madridit dhe ka fituar aq shumë sa nuk mendohej. Lidhja shpirtërore është bërë kaq e fortë saqë nuk mendohet që Simeone të largohet ndonjëherë, edhe pse ofertat nuk është se i kanë munguar.

Momenti kur kjo “herezi” mund të ndodhte ishte pikërisht pas mbrëmjes së hidhur të Ligës së Kampionëve të humbur majin e kaluar ndaj Realit. Simeone tregon sesi po kalonte pranë zonës kur lojtarët e Realit po festonin dhe sesi ndjeu një dhimbje të madhe. “Mendova se viti pasardhës do të ishte shumë i vështirë dhe se unë do ta kisha tepër të zorshme të motivoja lojtarët, – tha Simeone, – në atë momemt mendova se mund të largohesha. Duhej ta mendoja”.

“Fakti që nuk ika do të thotë se nuk doja të ikja, – vazhdoi trajneri krenar, – u mendova mirë dhe vendosa kështu. Pata 35 milionë arsye për t’u larguar”. Kaq duhet të ketë qenë sasia e eurove që i ofroi një klub i rëndësishëm i Europës, besohet Paris SG, por që argjentinasi i hodhi poshtë. Edhe Interi i Milanos është e sigurt se i kërkon shërbimet e tij.

Edhe sa kohë do të qendrojë Simeone tek Atletiko? Nuk mund të fantazohet, veçse një njeri i lidhur emocionalisht fort me tifozët do ta ketë të vështirë të ikë. Ai u caktua trajner i “Atletit” në 2011 kur ekipi rrezikonte të binte nga kategoria, dhe në 6 vjet ka arritur dy herë në finalen e Championsit, fitoi titullin e parë në 18 vjet, fitoi Kupën e Mbretit, dy herë Ligën e Europës dhe doli katër herë radhazi në podiumin e ligës spanjolle.

Sfidanti.al