Derbin në familjen e Erion Bogdanit e fiton … i biri!

Erion Bogdani vërtet jeton në Itali dhe ka një grua italiane, por nuk ka asnjë dyshim se do të jetë tifoz me kuqezinjvë në përballjen e sotme ndaj të kaltërve. Vetë “Bogu”, tashmë edhe trajner i Shqipërisë U19, e konfirmon se do të hidhet përpjetë për çdo aksion të skuadrës së De Biazit, edhe pse nuk do të shkojë në Palermo. “Do ta shoh ndeshjen në televizor”, – thotë ai. Gjithsesi, ashtu si në familjen e Lorik Canës, edhe tek ajo e Erit pritet të ketë një derbi, pasi jo më kot, gratë e tyre janë italiane.

Rekordmeni i golave në kombëtare e di se gruaja nuk mund të jetë me Shqipërinë, edhe pse mund të mos jetë krejtësisht kundër, meqë i shoqi është jo vetëm shqiptar, por edhe ish-lojtar i kuqezinjve. Gjithsesi, derbi është i pashmangshëm, por atë do ta fitojë një i tretë, djali i Bogdanit. “Çuni im ka thënë se do t’i këndojë të dy himnet, edhe atë shqiptar, edhe atë italian, – tregon ish-sulmuesi, – duke e ndjerë veten në vështirësi, ka thënë se do të bëhet me atë skuadër që do të fitojë”. Shpresojmë të mos jetë Italia!

Sfidanti.al